Young Boys i shpëton karantinës, leje speciale për të luajtur në Angli

Skuadra e Young Boys ka marrë një leje speciale nga Kantoni i Bernës që të mund të udhëtojë në Angli dhe të luajë kundër Manchester United pa u futur në karantinë kur të kthehet në atdhe.

Për shkak të variantit të ri të Coronavirusit, Zvicra ka vendosur kufizime dhe rregulla të reja për ata që vijnë nga Britania dhe Young Boys duhet të futej në karantinë kur të kthehej në shtëpi.

Por klubi zvicerian është përjashtuar nga këto rregulla dhe do të lejohet të luajë në Manchester në Champions League, pa qenë nevoja që më pas të futet në karantinë.

“Young Boys ka marrë një leje speciale nga Kantoni i Bernës për ndeshjet në transfertë në Champions League dhe UEFA Youth League. Lojtarët dhe stafi nuk do të bëjnë një karantinë 10-ditore kur të kthehen nga këto udhëtime”, shkruan klubi në një njoftim zyrtar. / Oversport.tv