Zanetti: Më pëlqen ekipi i këtij viti, duam të mbrojmë titullin kampion  

Protagonist i një interviste në kanalin zyrtar në YouTube të Lega Serie A, zëvendëspresidenti i Interit, Javier Zanetti shprehu kënaqësinë e madhe për paraqitjen e skuadrës në këto katër muajt e parë të kampionatit. Duke u ndalur më pas tek ambiciet e klubit, ai tregoi se kërkon nga ekipi të mbrojë titullin kampion të fituar vitin e kaluar.

“Interi më pëlqen shumë, po shpreh një futboll të mirë, dhe kjo falë punës së madhe të trajnerit dhe të gjithë stafit të tij. Gjithashtu edhe falë lojtarëve që e ndjekin. Skuadra ndihet e fortë, është e vetëdijshme se duhet mbrojtur titulli i fundit i fituar.

Ata kanë një mentalitet të shkëlqyer dhe për një ekip mendoj se kjo është thelbësore. Të gjithë ndihen të përfshirë. Ky sezon është shumë i balancuar, përveç nesh ka skuadra të tjera që duan të fitojnë. Ne duam të mbrojmë Scudetton dhe po e tregojmë, por pastaj është Milani, është Napoli, Atalanta…

Mendoj se do të jetë kështu deri në fund. Nga ana tjetër kampionati italian është gjithmonë i komplikuar. Asnjë rezultat nuk merret si i mirëqenë, duhet të përballesh të diel pas të diele për të vërtetuar kush je”. /oversport.tv