Zangrillo siguron tifozët: Kemi një projekt ambicioz te Genoa

“Për të merituar më shumë, ne duhet të kemi kurajon që të bëjmë revolucion. Dhe revolucion do të thotë të mendosh gjëra të mëdha”, këto janë fjalët e presidentit të ri të Genoas, Alberto Zangrillo për “Sky Sport”.

Ai i ka idetë e qarta për detyrën e tij dhe për projektin e ri të klubit kuqeblu: “Duhet një projektim i ri në të cilin faktori sportiv është thelbësor, por duhen marrë edhe disa masa inovative që nisin me stadiumin.

Duhet të shohim mundësinë që stadiumi të bëhet pronë e klubit. Kështu mund ti japim vlerë edhe sportit, në një mënyrë moderne dhe të re. Përpara luftës, nga ana sportive Genoa ishte në majat e Serie A, ndërsa tani jemi në një tjetër pozicion.

Ka ardhur momenti që të ndalojmë, të programojmë gjithçka nga e para dhe të nisim një aventurë të re. Kemi një projekt të rëndësishëm, si mund të imagjinoni që Shevchenko do të pranonte detyrën, nëse nuk do të kishte marrë garanci nga pronarët e klubit?”, ka thënë Zangrillo. /Oversport.tv