Zaniolo pranë largimit nga Roma, për të interesohen klube nga Anglia dhe Gjermania

Martesa mes Romës dhe Nicolo Zaniolos mund të jetë drejt fundit. Palët nuk janë duke arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës dhe mundësia që fantazisti italian të largohet është shumë e lartë. Kontrata e tij aktuale skadon në fundin e sezonit të ardhshëm dhe në rast se nuk rinovon, atëherë ai mund të shitet për mos u larguar me parametër zero.

Nga kjo situatë janë gati të përfitojnë disa klube europiane, ku thashethemet më të shumta vijnë nga Premier League dhe Bundesliga. Zaniolo ka tërhequr vëmendjen e West Ham dhe Tottenham në Angli, por së fundmi në garë janë shtuar edhe Arsenali dhe Newcastle.

Në Gjermani ndërkohë është klubi i Borussia Dortmund që po studion terrenin për të përfituar nga situata. Nuk mungon edhe interesi nga Serie A për lojtarin e Romës që është përfolur disa herë për një transferim drejt Juventusit. Roma ndërkohë e vlerëson kartonin e tij me rreth 35-40 milionë euro dhe në rast se dikush i ofron këtë shumë do të jetë të gatshëm ta lënë të lirë. /oversport.tv