Zbardhet marrëveshja Inter-Conte, prapaskenat e asamblesë

Zbardhet marrëveshja mes Interit dhe ish-trajnerit që riktheu titullin, Antonio Conte. Ky i fundit mori gjysmën e pagës për sezonin aktual që do të ishte në kontratë nga zikaltrit.

Inter dhe ish-trajneri u ndanë mes tyre për “vizione të ndryshme në lidhje me të ardhmen e projektit të klubit”. Së fundmi, mediat italiane kanë nxjerrë në pah edhe vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të klubit milanez, mbajtur më 8 korrik.

“Calcio e Finanza” ka arritur të ketë akses në dokumentet, që janë firmosur për divorcin mes palëve. Në bazë të dokumenteve, është dakordësuar që Conte të përfitojë gjysmën e pagës për sezonin e mbetur të kontratës në 2021-2022.

Përgjatë zhvillimeve të Asamblesë, një prej aksionarëve të shoqërisë ka kërkuar detaje pse klubi po shkon drejt ndarjes me trajnerin që pati sukses në sezonin e sapo-mbyllur. Përgjigja për këtë është dhënë nga administratori i përgjithshëm, Guseppe Marotta.

“Përgjigjet Shefi Ekzekutiv Sportiv Giuseppe Marotta – lexohet në dokumentet e zbuluara të asamblesë – i cili informon se në fund të sezonit të shkuar, shoqëria dhe trajneri janë takuar dhe diskutuan mes tyre disa vizione të ndryshme rreth projektit teknik për të ardhmen e shoqërisë.

Sakaq, palët kanë vendosur me mirëkuptim që të zgjidhin kontratën. Në kontekstin e kësaj marrëveshjeje, siç ndodh zakonisht, Inter i pagoi Contes një shumë (e barabartë me afërsisht gjysmën e shpërblimit të parashikuar në kontratën e punës për sezonin 2021-2022), në mënyrë që ta kompensojë atë.

Sa iu përket shifrave finale, Conte ka përfituar 6.5 milionë euro neto, gjysma e 13 milionëve në total të parashikuar në kontratë. / oversport.tv