Zhang rikthehet në Milano, mbështetje me kushte për Inzaghin

Interi nuk po kalon një moment të mirë në kampionat dhe humbja e fundit ndaj Udineses konfirmoi formën e dobët të zikaltërve. Situata e krijuar ka vendosur me ‘shpatulla pas murit’ trajnerin Inzaghi, të cilin tifozët e konsiderojnë përgjegjësin kryesor, teksa shumë prej tyre kërkojnë largimin e tij.

Për këtë arsye presidenti i zikaltërve, Steven Zhang, është rikthyer më herët nga SHBA në Milano, për tu ballafaquar me drejtuesit dhe veçanërisht trajnerin. Për momentin, Zhang nuk e konsideron lëvizjen e duhur një shkarkim të Inzaghit dhe do t’i konfirmojë italianit mbështetjen e bordit drejtues.

Megjithatë, në këtë takim, Inzaghit do t’i kërkohet që skuadra të ndryshojë faqe sa më parë duke u rikthyer tek rezultatet pozitive. Po ashtu, trajneri duhet të punojë për të kthyer skuadrën në formë në aspektin fizik dhe moral. Ndër të tjera, drejtuesit do t’i kërkojnë teknikut zikaltër të jetë më i qartë dhe më i guximshëm në zgjedhjet teknike.

Inter do të ketë një ‘tour de force’ pasi kalendari i rezervon sfida shumë të rëndësishme duke nisur që nga ajo e radhës me Romën në Serie A, më 1 tetor. Tre ditë më vonë zikaltrit do të presin në “Meazza” Barcelonën në Champions League, për të vijuar me transfertën e Sassuolos më 8 tetor dhe pas 4 ditësh, do të gjejnë sërish katalanasit në ndeshjen e kthimit në “Camp Nou”. Me pak fjalë ky do të jetë një test i vërtetë për Inzaghin dhe skuadrën, me qëllimin për të larguar formën e dobët dhe për tu rikthyer tek rezultatet pozitive, në të kundërt, situata mund të ndryshojë totalisht!/Oversport.tv

Foto: Internews24.com