Zhivanaj nuk largohet nga kryeqyteti, mbrojtësi zgjedh të vazhdojë karrierën te Dinamo

Realf Zhivanaj ka gjetur menjëherë ekip pas largimit nga skuadra e Tiranës ditën e djeshme. Oversport mëson se mbrojtësi 24-vjeçar ka arritur akordin me Dinamon dhe se do të mbrojë ngjyrat “blu” për pjesën tjetër të sezonit.

Për mbrojtësin shfaqi interes edhe Teuta, por Zhivanaj duket se ka zgjedhur që të qëndrojë në kryeqytet dhe të mbrojë ngjyrat e Dinamos. Ndonëse militon në Kategorinë e Parë, skuadra e Dedes është një nga kandidatet kryesore për tu ngjitur në elitën e futbollit shqiptar këtë sezon.

Kujtojmë që Zhivanaj u largua nga Tirana pas thuajse 2 vitesh, periudhë në të cilën luajti 16 ndeshje me fanellën bardheblu. Mbrojtësi tashmë është gati për një aventurë të re dhe shpreson që të gjejë më shumë hapësira në fushën e blertë. / Oversport.tv