Zyrtare: Arkitekti i transferimeve milionere ikën nga Liverpool

Michael Edwards nuk ka pranuar rinovimin me Liverpool. Drejtori sportiv i “The Reds” e ka ndarë mendjen dhe me përfundimin e kontratës do të mendojë për një tjetër aventurë.

Gjithçka ka marrë formë zyrtare me njoftimin e bërë nga klubi i Premier League. Julian Ward do të marrë vendin e tij, pasi më parë ishte emëruar si zëvendës i Edwards.

Pas vendimit ai ka pasur disa fjalë për të thënë: “Ka qenë privivilegj të jem pjesë e këtij klubi për shkak të njerëzve me të cilët kam pasur fatin të punoj dhe suksesit që kemi pasur. Gjithmonë e kam menduar ta mbyll pas 10 vitesh. Më ka pëlqyer të punoj këtu, por besoj shumë te ndryshimi.

Mendoj se është mirë për individin dhe punëdhënësin. Kemi ndryshuar shumë gjëra, por një i ri sjell ide të ndryshme, të reja dhe shpresoj të ndërtojë mbi gjërat që janë bërë më parë. Besoj se Julian është ideali për këtë punë”.

Edwards i ishte bashkuar Liverpool në nëntor të vitit 2011, pas eksperiencave me klube si Portsmouth dhe Tottenham. Ai dha kontributin e tij në ndërtimin e një klubi që fitoi Champions League në viti 2019 dhe riktheu titullin kampion te Liverpool pas shumë vitesh.

Ai luajti rol kyç në transferimin e lojtarëve si Mohamed Salah, Virgil van Dijk, Alisson Becker dhe Fabinho, apo për shitjen e me çmime mjaft të mirë të Mamadou Sakho, Dominic Solanke, Danny Ings, Danny Ward, Rhian Brewster dhe Philippe Coutinho. / oversport.tv