E ardhmja e Arlind Ajetit nuk ka më dyshime. Mbrojtësi kuqezi i cili u largua nga Pordenone në fundin e sezonit që lamë pas, është zyrtarizuar te skuadra e tij e re. Ajeti ka nisur një aventurë në Rumani aty ku do të jetë pjesë e Cluj.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi rumun me anë të një njoftimi në rrjetet sociale. “Jemi të lumtur të njoftojmë se Arlind Ajeti është lojtari i ri i skuadrës sonë!
Mbrojtësi qendror me origjinë shqiptare, i lindur në Zvicër, ka luajtur në Serie A për FC Torino, Frosinone Calcio dhe Crotone. Mbrojtësi gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Zvicër për Grassoper, por edhe për FC Basel, skuadër me të cilën fitoi 4 herë titullin dhe u aktivizua në Champions League dhe Europa Legue.
Ajeti luan për kombëtaren e Shqipërisë, skuadër me të cilën është aktivizuar në 21 ndeshje si dhe ka marrë pjesë në Europianin e zhvilluar në vitin 2016.
I urojmë mirëseardhjen në familjen CFR dhe i urojmë shumë suksese me fanellën tonë”, shkruhej në postimin e publikuar nga klubi rumun. /oversport.tv