FIFA dhe UEFA pezullojnë klubet dhe kombëtaren ruse nga çdo aktivitet

Ajo që pritej, tashmë është bërë realitet. Bota e futbollit reagon ashpër ndaj luftës në Ukrainë dhe FIFA dhe UEFA pezullojnë skuadrat ruse (kombëtare dhe klubet) nga çdo aktivitet. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare qeveria e futbollit botëror deklaron:

“FIFA dhe UEFA kanë vendosur sot së bashku se të gjitha skuadrat ruse, qofshin ato kombëtare apo klube, do të pezullohen nga pjesëmarrja në të gjitha kompeticionet që organizohen nga FIFA dhe UEFA deri në një njoftim të dytë.

Këto vendime u morën sot nga Byroja e Këshillit të FIFA-s dhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, organet më të larta vendimmarrëse të këtyre dy institucioneve.

Futbolli është i gjithi i bashkuar dhe në solidaritet të plotë me të gjithë njerëzit e prekur në Ukrainë. Të dy presidentët shpresojnë që situata në Ukrainë të përmirësohet shpejt dhe ndjeshëm, që futbolli të jetë sërish vektori i paqes dhe unitetit mes njerëzve”, shkruhet në njoftimin e FIFA-s. / Oversport.tv

Foto: FIFA Media Twitter