Zyrtare: Giovanni van Bronckhorst është trajneri i ri i Rangersit

Tashmë është zyrtare: Giovanni van Bronckhorst është emëruar trajneri i ri i Rangersit. Përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare klubi skocez konfirmon se tekniku holandez do të jetë trajneri i ri. Pas negociatave që zgjatën 5 ditë, klubi skocez gjen zëvendësuesin e Gerrard.

“Jam shumë i kënaqur të prezantoj Giovannin si trajnerin tonë të ri, që të fillojë një epokë të re dhe të synojë trofe të tjera, që do ti shtohen atyre që klubi ka fituar deri tani.

Skuadra është në një pozicion të mirë dhe ne do të mbështesim trajnerin që të vazhdojë të arrijë suksese me Rangersin”, ka deklaruar presidenti i klubit, Douglas Park.

“Jam shumë i lumtur që rikthehem te Rangersi si trajneri i ri i skuadrës. Ndihem me fat që do të punoj me një skuadër që ndodhet në një pozicion shumë të mirë në çdo aspekt dhe që e ka eksperiencën e fituesit”, ka thënë van Bronckhorst.

Holandezi ka pasur një karrierë të pasur si lojtar (ka luajtur edhe 3 sezone me Rangers), ndërsa si trajner ka drejtuar Feyenoordin dhe Guangzhou RF. /Oversport.tv