Zyrtare: Mori fitoren e parë në Premier League, Norwich shkarkon trajnerin

Norwich mbetet pa trajner pas fitores së parë sezonale në Premier League. Daniel Farke është larguar menjëherë nga drejtimi i skuadrës, sikurse njofton klubi anglez.

Farke ishte në krye të Norwich që në verën e vitit 2017 dhe largohet pas 4 vitesh e gjysmë, së bashku me stafin e tij.

Drejtori sportiv i Norwich, Stuart Webber, tha mes të tjerash: “Për të vazhduar të kërkojmë më të mirën për klubin tonë, ky vendim nuk ishte i lehtë. Unë e di sa te vendosur ishin Danieli dhe stafi i tij për të pasur sukses në këtë nivel.

Ne mendojmë se tani është koha e duhur për një ndryshim për t’i dhënë vetes mundësinë për të qëndruar në Premier League.

Të gjithë në Norwich do t’i jenë mirënjohës Danielit dhe stafit të tij për rolin e rëndësishëm që kanë luajtur në rrugëtimin tonë”. / oversport.tv