Zyrtare/ Partizani godet në merkato, mesfushori 30-vjeçar i bashkohet “Demave”

Partizani bën një tjetër goditje në merkato. Kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë siguruar shërbimet e ish-mesfushorit të Kukësit, Gjelbrim Taipi. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi kryeqytetas me anë të një njoftimi në rrjetet sociale.

Në të shkruhet se Taipi ka firmosur një kontratë që do ta mbajë lidhur për një sezon me Partizanin, me opsion rinovimi edhe për një tjetër. Kështu Taipi largohet nga Kukësi pas tre sezonesh dhe nis menjëherë aventurën me Partizanin ku është bashkuar në seancat stërvitore.

“Gjelbrim Taipi vishet i kuq. Partizani zyrtarizon afrimin e Gjelbrim Taipit në skuadër. Mesfushori me tipare sulmuese është përforcimi më i fundit në këtë sesion të merkatos. Taipi pas 3 sezoneve pozitive te Kukësi, ka firmosur një kontratë 1 vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon me kampionët e Shqipërisë.

Mesfushori menjëherë i është bashkuar ekipit në seancën e sotme stërvitore”, shkruhet në postimin e publikuar nga “Demat e Kuq”. /oversport.tv