Zyrtare/ Shtubina nuk është më drejtori sportiv i Egnatias

Ndriçim Shtubina nuk do të jetë më drejtori sportiv i Egnatias. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shtubina me anë të një postimi në profilin e tij në Instagram.

Në të shkruhet se ky vendim është marrë për të mirën e klubit dhe në respekt të presidentit. Duke falenderuar të gjithë për ndihmën dhe punën e zhvilluar në eksperiencën e tij si drejtor sportiv i Egnatias, Shtubina gjithashtu bën me dije kjo nuk është një lamtumirë ndaj klubit pasi Presidenti i ka ofruar një post të ri.

Megjithatë, Shtubina ka kërkuar kohë për të marrë vendimin mbi këtë propozim të bërë. Në kohën e tij si drejtor sportiv i Egnatias, Shtubina ka bërë një punë mjaft të mirë duke afruar lojtarë cilësorë, ndërsa së fundmi rrogozhinasit po luftojnë për një vend në kupat e Europës.

Oversport mëson se posti që i është ofruar Shtubinës nga Presidenti i klubit është ai i trajnerit të ekipit U-21 të Egnatias. Ish-lojtari i Vllaznisë dhe shumë ekipeve të tjera në superiore nga ana tjetër siç e bëri me dije edhe në shkrimin e publikuar kërkon kohë për të marrë një vendim./oversport.tv