Zyrtare: Shtyhet ndeshja Skoci-Ukrainë, Polonia kalon në finalen e “play off”

Tashmë është zyrtare. FIFA ka vendosur që ndeshja midis Skocisë dhe Ukrainës të shtyhet. Qeveria botërore e futbollit mori parasysh kërkesën e federatës ukrainase dhe vendosi që ndeshja të shtyhet për në qershor.

Po në qershor do të luhet edhe “play off” final që do të vendosë përballë fituesin e Skoci-Ukrainë dhe Uells-Austri. Ndërkohë që asnjë ndryshim nuk do të ketë ndeshja tjetër midis Uellsit dhe Austrisë, por do të luhet siç ishte parashikuar më 24 mars.

Nga ana tjetër, Polonia do të kualifikohet automatikisht në finalen e “play off” pasi ndeshja ndaj Rusisë nuk do të zhvillohet. Ajo ka marrë një “leje speciale” për të kaluar në finalen e “play off”. Polonia do të përballet më 29 mars me fituesen e çiftit tjetër, Suedi-Republika Çeke. /oversport.tv

Foto: FIFA Media Twitter